Përmbledhjen javore në teknologji këtë javë e fillojmë me OnePlus, që sa vjen e bëhet kompani konkurrente. E njëjta, mund të bëhet kompania e radhës që hyn në garën e telefonave me ekrane me palosje dhe mund të diferencohet nga të tjerët në disa mënyra përmes serisë OnePlus Fold, që është telefon me ekran që paloset në formë libri, i cili do të ofrojë performancë të lartë. Raportohet se ekrani i tij i brendshëm ka një madhësi prej 7.8-inç dhe ekran të jashtëm 6.3-inç, ku të dy janë 120Hz dhe i njëjti do të dalë në shitje në gusht të këtij viti. Netflix, po ashtu ka qenë kryetemë e mediave teknologjike këtë javë, por jo për ndonjë seri të re. Platforma po përgatitet për të hapur një restorant që quhet “Netflix Bites” dhe i njëjti pritet që të funksionalizohet së shpejti. Bëhet e ditur se një restorant i tillë do të hapet fillimisht në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në përmbledhjen javore teknologjike, kemi edhe një studim që sjell shifra shumë të larta të qëndrimit në rrjete sociale. Një përdorues i rrjeteve sociale, përllogaritet që shpenzon rreth 2.5 orë në ditë në mediat sociale, kjo i bie 864 orë në vit ‘lundrim’ nëpër aplikacione. Nëse përllogarisim në një kohëzgjatje të jetës, duke supozuar për një jetëgjatësi mesatare prej 72 vjetësh, përdoruesit mund të shpenzojnë rreth 5.5 vjet të jetës së tyre në mediat sociale. Miq, prandaj neve na mbetet që të vendosim sa kohë gjatë ditës duam që t’ia falim rrjeteve socale!