Tash e një kohë të gjatë kemi parë gjigandët teknologjik, të cilët veç përsosmërisë së shërbimeve që i ofrojnë, po mendojnë shumë edhe për mirëqenien e klientëve. Së fundmi, kompania Apple, ka bërë të ditur se është duke punuar në ndihmën për diagnostikimin e depresionit, anktheve dhe humbjen e kujtesës nëpërmjet përdorimit të iPhone. Një universitet në Los Angeles, po studion stresin, ankthin e depresionin, me të dhënat e 3000 vullnetarëve, nëpërmjet orëve të Apple dhe iPhone. Studimi ka nisur këtë vit (2021). Një fazë pilot, ka nisur vitin e shkuar (2020), me 150 pjesëmarrës.
Në anën tjetër, kompania Microsoft, do të lansojë versionin e ri ‘Office 2021’, me 5 tetor. Madje Microsoft, për konsumatorët komercialë, këtë version e ka lëshuar në përdorim javën që sapo e kemi lënë pas, ndërsa për konsumatorët jo-komercialë, do ta shpalos në treg ‘Office 2021’, me datën 5 tetor. Java e shkuar teknologjike ka pasur ‘agjendë’ të ngjeshur edhe sa i përket zbulimeve të fjalës së fundit në teknologji.
Nga zbulimet e fundit do të veçojmë edhe një super jaht, e cila po na vjen nga Norvegjia. Është fjala për dizajnin ambicioz të Kurt Strand, i cili ka krijuar jahtin e ri, i frymëzuar nga lundrimet e Vikingëve. Po flasim këtu për një koncept të një jahti rreth 50 metra të gjatë, ku z. Strand, kopjoi velat e fuqishme katrore dhe i ktheu ato në diçka moderne dhe rezultati përfundimtar është një, super jaht, me teknologji moderne që do ta lejojë atë të lundrojë në të gjitha pjesët e botës pa emetuar gazra të dëmshëm. Jahti do të lundrojë falë tre motorëve që mund të përdorin hidrogjen, gaz natyror të lëngshëm dhe madje edhe naftë.
Lajmi tjetër, ka të bëjë me aeroplanët elektrikë, të cilët gjithashtu janë fjala e fundit e teknologjisë. Një të tillë e ka shpikur edhe kompania, Rolls-Royce, madje aeroplani elektrik i kësaj kompanie ka përfunduar tashmë fluturimin e parë, teksa ka qëndruar në ajër për 15 minuta. Rolls Royce ka dhënë njoftimin për këtë arritje, ndërsa ka dëshmuar me këtë se po bën hapin e parë drejt procesit të elektrifikimit të industrisë së aviacionit.