Përmbledhjen javore me të rejat në teknologji, e fillojmë me gjeneratën e re të telefonave të mençur. Shpejtësia e mbushjes së baterisë, së shpejti do të arrijë një nivel të ri, ndërsa kapaciteti i baterisë në telefon gjithashtu pritet të rritet. Ngarkuesit me fuqi deri në 300W, do të dalin në treg së shpejti. Kompanitë OnePlus, Realme, Oppo dhe të tjera, duhet ta zbatojnë karikimin e shpejtë të baterisë prej 300W në telefonat e tyre. Përveç rritjes së shpejtësisë së mbushjes të baterisë, pritet edhe një kapacitet më i madh i tyre. Të reja javore kemi edhe për përdoruesit e ChatGPT. Italia është bërë vendi i parë perëndimor që bllokon ChatGPT. Autoriteti italian i mbrojtjes së të dhënave, ka njoftuar se kishte shqetësime për privatësinë në lidhje me modelin, i cili u krijua nga start-up amerikan OpenAI dhe mbështetet nga Microsofti.
Të reja javore në këtë javë që po e lëmë pas kishim edhe nga robotika. Roboti humanoid i quajtur Ameca, i krijuar nga Engineered Arts, ka qenë top lajm i kësaj jave. Në një video-klip të postuar në llogarinë e Ameca-s në Twitter, roboti i merr disa pyetje, ndaj të cilave përgjigjet me mimika të fytyrës, pothuajse njerëzore.
Kur iu parashtrua pyetja se cili ishte momenti i tij më i lumtur, roboti u përgjigj duke thënë se momenti më i lumtur ishte dita kur ishte aktivizuar dhe mimika e fytyrës ndryshoi në të lumtur. Por, kur robotit ju tha, se gjoja një asteroid i madh po vjen drejt tokës dhe se të gjithë do të vdesin, roboti me inteligjencë artificiale, tha: “Wow, ky është një lajm i tmerrshëm, shpresoj që të gjithë të jenë të sigurt dhe që të marrin masa paraprake”, por që mimika e fytyrës i ndryshoi nga i lumtur në të mërzitur.