Përmbledhjen javore teknologjike e fillojmë me gjigandin Apple, i cili javën qe po e lëmë pas, ka konfirmuar raportimet se debutimi i sistemeve operative të reja, nuk do të ndjekë agjendën e viteve të kaluara. Për herë të parë, kompania nuk do të lansojë një version publik të iPadOS, së bashku me iOS. Pritet që iOS 16, të debutojë menjëherë pas evenimentit të Shtatorit të Apple, ku do të bëhet debutimi i iPhone.
Sony PlayStation, po ashtu ka qenë pjesë e mediave teknologjike javën që e lamë pas, pasi mund të humbë një vlerë të madhe monetare. Kjo, pasi është paditur në Britani, ku i kërkohet të dëmshpërblejë konsumatorët me 5 miliardë sterlina, lidhur me lojërat mbi tarifore. Padia është bërë nga ai që njihet edhe si kampioni i të drejtave të njeriut, Alex Neill dhe nëse e fiton këtë betejë, 9 milionë konsumatorë do të kompensohen. Ai pretendon se Sony, ka shkelur ligjin e konkurrencës duke vendosur terma dhe kushte të padrejta mbi zhvilluesit e lojërave dhe si rezultat ka rritur çmimet.
Nuk kanë të ndalur projektet për taksi fluturues, e një i tillë pritet të testohet së shpejti. Është firma britanike ‘Vertical Aerospace’, që ka përfunduar projektimin e këtyre taksive fluturues dhe ky mjet pritet të ngjitet në qiell për testime, natyrisht pasi që të marr leje nga Autoriteti i Aviacionit Civil.
Pjesë e lajmeve javore të teknologjisë, është edhe çipi që e hapë veturën e markës Tesla. Brandon Dalaly, këtë javë që po e lëmë pas, ka publikuar një xhirim në rrjetin social Twitter dhe në YouTube, duke implantuar çipin ‘VivoKey Apex’ në krahë. Çipi funksionon pa kontakt dhe mbulohet nga një substancë që lejon edhe përdorimin e tij për Apple Pay, me teknologjinë NFC. Pas ndërhyrjes që i kushtoi 400 dollarë, Dalaly tashmë po përdor dorën e tij të djathtë, për tu kyçur në makinën Tesla.