Përmbledhjen javore të informacioneve të reja teknologjike, këtë herë e nisim me kompaninë Apple, nga e cila kemi kuptuar se pajisjet e reja ‘Pro’, të iPhone, do të vinë me ekranet që rrinë ndezur gjithmonë. Këtë veçori e kemi të njohur nga ‘Apple Watch Series 7’. E tash edhe ‘iPhone 14 Pro’ dhe ‘Pro Max’, do të tregojnë informacionin e ekraneve “Always On”. E ndryshe nga Apple, kompania Samsung, po përballet me ‘krizë’ të shitjes së pajisjeve të tyre. Një raport i javës që po e lëmë pas, thotë se Samsung, ka 50 milionë telefona të mençur (smartphone), të ngelur në stok.
Të reja interesante teknologjike nuk na kanë munguar as nga zbulime të reja shkencore, ku shkencëtarët britanikë thonë se kanë krijuar lëkurën e re elektronike, që mund të ndiejë dhimbjet dhe të mbajë mend edhe llojin e prekjeve. Lëkura artificiale, është në fazat e hershme të zhvillimit, mirëpo shkencëtarët thonë se kjo lëkurë do të mund të përdoret në mjekësi dhe në kirurgji.
Po në javën që kemi lënë pas, rrjeti social Snapchat, njoftoi do të nisë lëshimin e opsionit ‘Snapchat Plus’, lloj abonimi që u mundëson përdoruesve edhe veçori ekskluzive dhe qasje më të shpejtë. Fillimisht, ky opsion do të jetë në fazë testuese. Veçoritë e tij janë logoja e re e rrjetit social dhe ruajtja e bisedave.