Javën që po e lëmë pas, e kemi nisur me specifikat e telefonit të gjeneratës së ardhshme nga Samsung. Nuk është konfirmuar ende, mirëpo sipas të gjitha gjasave, telefoni do të emërohet ‘Galaxy Z Fold4’ dhe disa detaje tashmë janë publikuar, për të na dhënë një pasqyrë se si do të duket dhe çfarë do të përmbajë telefoni. Telefonin në fjalë do ta vë në punë procesori Snapdragon 8+ Gen 1, në kombinim me 12 apo 16 GB RAM dhe 256 apo 512 GB memorie të brendshme, për ruajtjen e të dhënave. Sa i përket kamerave, në pjesën e pasme do të ketë kamerën prej 50 MP, ndërsa kamera e brendshme në ekran do të ketë 16 MP. E prej të gjitha këtyre specifikave, më e sigurta është që do të funksionojë me sistemin operativ Android 12. Edhe Safari ishte pjesë e më të rejave javore në teknologji. Shfletuesi Safari i Apple, sipas të dhënave të fundit ka më shumë se 1 miliardë përdorues dhe kjo e bënë shfletuesin e dytë më të përdorur në botë, pas Google Chrome. Me afro 3.4 miliardë përdorues, Chrome prijnë e kjo sipas raportit të Atlas VPN, raport ky qe përfshin edhe përdoruesit mobil, jo vetëm desktop.
Nga robotika kemi veçuar lajmin që vjen nga Singapori, atje ku synohet që mungesa e fuqisë punëtore nga jashtë, do të mbulohet me robotë. Sipas Ministrisë së Fuqisë Punëtore, atje numri i punëtorëve të huaj në Singapor, ka shënuar rënie për mbi 230.000, që nga dhjetori i vitit 2019 e deri në shtator të vitit 2021. Prandaj robotët po shihen si zgjidhje për këtë situatë të krijuar. Aktualisht, Singapori ka 605 robotë të instaluar për zëvendësimin e rreth 10.000 punonjësve në industrinë e prodhimit.