Java e tretë e muajit shtator do të sjell në treg iPhone 13 dhe siç shkruajnë mediat ndërkombëtare teknologjike, çmimi fillestar i iPhone 13, do të jetë rreth 900 dollarë.
Deri sa Apple, fokusin e ka në modelin e ri të telefonit, një kabllo nënujore e gjatë 12.000 kilometra, që synon zgjerimin e lidhjes në rajonin Azi-Paqësor, është fokusi i kompanive Google dhe Facebook. Kablloja nënujore do të lidhë Japoninë, Tajvanin, Guamin, Filipinet, Indonezinë dhe Singaporin, ndërsa pritet të përfundojë në vitin 2024, njoftuan kompanitë në deklarata të veçanta. Sistemi kabllor pritet të ketë një kapacitet fillestar të projektimit prej më shumë se 190 tera-bit në sekondë, për të përmbushur kërkesat në rritje të të dhënave në rajon.
Java teknologjike që sapo e kemi lënë pas, nxori në pah edhe një ‘dështim’ në sigurinë e të dhënave. Operatori i telekomit ‘T-Mobile US’, njoftoi se një hetim i vazhdueshëm mbi një sulm kibernetikë në sistemet e tij, zbuloi se disa të dhëna personale të rreth 7.8 milionë klientëve të tij aktualë me kontratë, ishin vjedhur. Të dhënat e vjedhura përfshijnë emrat dhe mbiemrat e klientëve, datën e lindjes, numrat e sigurimeve shoqërore dhe informacionin e patentë shoferit – por nuk kishte asnjë indikacion, për komprometimin e detajeve të tyre financiare.
Fusha robotike ka qenë shumë ‘aktive këtë javë’. Tom, kështu është emri i robotit i cili është i dizajnuar që të ndihmojë në ferma. Roboti me katër rrotë e përdor GPS-in dhe inteligjencën artificiale për ta hartuar në mënyrë digjitale fushën. Roboti Tom, i inspekton deri në përpikëri fushat e mbjella për t’i gjetur pjesët e dëmtuara të barit dhe insektet e dëmshme. Ndërkohë në Zagreb të Kroacisë, një restorant ka një kuzhinier robot, i cili është i aftë të përgatisë ushqime si rizoto ose makarona me ushqim deti. Bëhet fjalë për robotin që mëson vazhdimisht receta të reja me ndihmën e një kuzhinieri profesional (njerëzor). Siç bëhet e ditur, sa herë që një kuzhinier përgatit një pjatë të re, për herë të parë, duke përdorur GammaChef, roboti krijon një recetë digjitale me të gjitha të dhënat e nevojshme.