Javën teknologjike e kemi nisur me më të rejat nga WhatsApp, që ka bërë të ditur se po e teston funksionalitetin e largimit nga ndonjë grup pa “lënë gjurmë”.
WhatsApp po teston aktualisht heqjen e njoftimeve për daljen nga grupi dhe me këtë mundësi të re, nëse vendosim të dalim nga ndonjë grup në WhatsApp, do të njoftohen vetëm administratorët e grupit por jo edhe anëtarët tjerë, siç është aktualisht.
Të reja javore kemi edhe nga Google që po ofron një ‘udhëtim pas në kohë’ përmes Street View. Përmes Google Street View, përdoruesit do të kenë qasje në një funksion të fshehtë, atë të udhëtimit pas në kohë, për të parë se si dukej vendi ku jetoni tani, vite më parë. Për të shijuar këtë mundësi, duhet të hapni Google Maps në kompjuter dhe më pas të kaloni në modalitetin Street View.
Një tjetër e re javore na erdhi nga kompania Apple, cila bëhet e ditur se është duke testuar disa njësi të iPhone, që në vend të portit Lightning, kanë portin USB-Type C. Edhe pse janë në fazë testuese, porti USB-Type C, nuk duhet pritur në rastin e këtij viti, vlerësojnë analistët, atëherë kur iPhone do të prezantojë produktet e reja.