Java që po e lëmë pas, ka pasur ‘agjenda’ shumë të ngjeshura sa i përket fushës së teknologjisë. Derisa Apple, plasoi në treg telefonin më të lirë ‘iPhone SE 5G’, Samsung e ‘rivalizoi’ atë duke patentuar një dizajn të pazakontë të një telefoni të mençur. Po flasim për telefonin në formë të shkronjës L, i cili ka një ekran të palosshëm. Sipas skicave, telefoni ka tre kamera dhe një blic LED, por nuk ka detaje rreth tyre. Dihet se ka një bateri me dy pjesë dhe ekrani i palosshëm do të jetë prej xhami ultra të hollë UTG të Samsung, e njëjta shtresë mbrojtëse e përdorur për telefonat ‘Galaxy Z Fold 3’ dhe ‘Z Flip 3’ të Samsung.
Nga ana tjetër, Google po zhvillon një mjet që do t’ju lejojë të “arkivoni” aplikacione të caktuara në mënyrë që të lironi hapësirë ose memorie në pajisje. Google ka njoftuar se çdo aplikacion me opsionin e arkivimit do të lejojë çinstalimin e pjesshëm, duke krijuar hapësirë më të madhe në telefon, pa pasur nevojë që ta fshijmë nga telefoni një apliakacion të caktuar.
Ndërkohë, HBO Max po vazhdon që të shtrihet edhe më tutje në Evropë. Nga 8 marsi, platforma e transmetimit nga WarnerMedia është lansuar edhe në 15 vende të tjera evropiane, kjo ka çuar numrin e përgjithshëm në 61 territore në të gjithë Evropën dhe kontinente amerikane për transmetuesin.