OnePlus këtë javë që po e lëmë pas, njoftoi për qëllimet që i ka për telefonin e ri. Deri më sot, telefonat më të fundit të disponueshëm globalisht OnePlus, ngarkohen me 65 Watt me një kabllo, e në varësi të kapacitetit të baterisë së telefonit, kjo mund t’ju çojë nga zero në 100% mbushje të baterisë, në rreth 30 minuta. Megjithatë, OnePlus nuk mendon se është mjaft i shpejtë, prandaj gjatë vitit një telefon i ri OnePlus do të lansohet me një shpejtësi karikimi prej 150 W, që do të thotë se bateria e këtij telefoni do të jetë e mbushur nga zero në 100%, për 17 minuta.
TikTok sërish e ka rritur gjatësinë maksimale të video klipeve që mund të ngarkohen në platformë. Nga tani e tutje përdoruesit mund të ngarkojnë video deri në 10 minuta, kështu ka njoftuar platforma me më së shumti përdorues aktivë: “Ne jemi të ngazëllyer që mund të ju mundësojmë ngarkimin e video-klipeve deri në 10 minuta, gjë që duhet të ofrojë mundësi edhe më kreative për krijuesit tanë të përmbajtjes në mbarë botën”, thanë zyrtarë të TikTok-ut. Kujtojmë që në korrik të vitit të kaluar, TikTok rriti gjatësinë maksimale të video-klipeve nga 60 sekonda në tre minuta, ndërsa ende pa u bërë një vit tani kjo gjatësi, ka shkuar në 10 minuta.
Nga java që e kemi lënë pas, e kemi edhe linjën e parë ajrore në botë që do të përdorë karburantin diellor. Është fjala për “Swiss Air Lines” e cila përmes në njoftimi ka thënë se fabrika e parë për këtë lloj të prodhimit industrial, do të ndërtohet këtë vit në Gjermani. Sa i përket karburantit diellor, ky si proces, do të përdor dritën e përqendruar të diellit për të prodhuar lëndë djegëse neutrale ndaj dioksidit të karbonit (CO2) dhe karburanti diellor është një zëvendësues ekonomik dhe kursen burime për lëndët djegëse fosile.