Në javën që po lëmë pas, Apple zyrtarisht ka lansuar për publikun versionet ‘iOS 15.1’ dhe ‘iPadOS 15.1’. Funksionaliteti kyç i ‘iOS 15.1’, është padyshim SharePlay ndërsa sjell edhe përmirësime të aplikacionit të kamerës për ‘iPhone 13 Pro’ dhe ‘13 Pro Max’. Përmes ‘iOS 15.1’, është menduar edhe për ruajtjen e dokumenteve, ku përdoruesit e ‘iOS 15.1’, mund të ruajnë kartën e vaksinimit në aplikacionin Wallet.
Në lajmet kryesore teknologjike të javës së shkuar, nuk kanë munguar as mjetet elektrike të udhëtimit. Bëhet fjalë për kompaninë ‘A.L.I. Technologies’, me bazë në Japoni, e cila lajmëroi se po sjell motoçikletën elektrike të cilën e ka pagëzuar me emrin “XTurismo Limited Edition”. Kjo motoçikletë mund të udhëtojë me shpejtësi prej 100 kilometër në orë, ndërsa në treg pritet të dalë në vitin 2022, me çmim fillestar prej 680 mije dollarësh. Një motoçikletë të re e lajmëroi edhe kompania gjermane “Hookie”. Në misionin e ardhshëm të NASA-s në Hënë, bashkë me njerëzit atje do të shkojë edhe motoçikleta “Tardigrade”. Kjo motoçikletë ka motor elektrik ndërsa arrin shpejtësi deri në 15 km/h. Motori është parashikuar që me një mbushje të baterive të ecë deri në 110 kilometra. Me një skelet alumini, ai është lehtësisht i çmontueshëm.
Siguria e të miturve në rrjetet sociale, e ka vënë Australinë në mesin e vendeve më të rrepta për sa i përket kontrolleve të moshës për përdorim të mediave sociale. Sipas një projektligji të propozuar atje, Australia do të detyrojë kompanitë e mediave sociale që të njëjtat të marrin pëlqimin prindëror për përdoruesit nën moshën 16 vjeç, në të kundërtën, platformat e internetit që nuk respektojnë këtë gjë, sipas projektligjit të ri, do te gjobiten deri ne 7.5 milionë dollar.