Javën teknologjike e kemi filluar me lajmet për një virus që kërcënon përdoruesit e sistemit operativ Android. Studiuesit në Threat Fabric kanë zbuluar një virus të ri, që mund të spiunojë gjithçka që bëni në telefonin tuaj. I quajtur Brokewell, virusi mund të lexojë gjithçka që shkruani në telefonin tuaj, të gjitha aplikacionet që hapni, fotografitë që hapni e madje mund të kontrollojë gjithashtu pajisjen nga distanca, duke i dhënë sulmuesit kontroll të plotë. Brokewell shkarkohet në pajisjen tuaj, përmes një faqeje të rreme të përditësimit të Google Chrome, kështu që bëni kujdes kur të shkarkoni diçka online.
Të reja teknologjike këtë javë, kemi edhe nga Samsung, kompani e cila planifikon të zgjerojë gamën e saj të pajisjeve për telefonat e mençur me dy mbushës të rinj, duke përfshirë Charger Duo 50 vat me dy porte USB-C. Siç është bërë e ditur, një mbushës i tillë në tregun e Bashkimit Evropian do të ketë një çmim prej rreth 70 euro.
Fjalëkalimet e ‘dobëta’ janë në fokusin e autoriteteve britanike. Fjalëkalimet si “admin” ose “12345” do të ndalohen në Mbretërinë e Bashkuar, sipas ligjeve të reja që thonë se pajisjet inteligjente duhet të plotësojnë standardet minimale të sigurisë. Ndryshe, ligjet janë pjesë e regjimit të sigurisë së produkteve dhe infrastrukturës së telekomunikacionit (PSTI), i cili synon ta mbrojë Mbretërinë e Bashkuar nga krimet kibernetike.







