Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me një kompani të fluturimeve. Linja ajrore Beond, me bazë në Maldive, tha njoftuar se do të ofrojë Apple Vision Pro për pasagjerët e saj, duke u bërë kështu kompania e parë ajrore që bënë diçka të tillë. “Ofrimi i Apple Vision Pro gjatë fluturimit, është një hap tjetër në vizionin tonë, për t’ju ofruar klientëve tanë një përvojë udhëtimi premium, nga fillimi deri në fund të fluturimit të tyre”, njoftojnë zyrtarët nga linja ajrore Beond.
Edhe Inteligjenca Artificiale ishte krye temë këtë javë. Kompania OpenAI, ka prezantuar një model të ri të quajtur Sora, model ky që mund të krijojë video “realistike” dhe “imagjinare” prej 60 sekondash. Në një postim të bërë nga kompania OpenAI, bëhet e ditur se Sora është në gjendje të gjenerojë video në gjatësi deri në 60 sekonda nga instruksionet tekstuale, që mund të jenë vetëm edhe dy fjali; “Modeli kupton jo vetëm çfarë ka kërkuar përdoruesi në udhëzim, por edhe si ato gjëra ekzistojnë në botën fizike”.
Në përmbledhjen javore teknologjike, kemi edhe autoritetet e New York-ut, metropol ky që po akuzon disa rrjete sociale, se dizajnet e platformave të tyre po shfrytëzojnë shëndetin mendor të përdoruesve të rinj dhe kjo po i kushton qytetit 100 milion dollarë në vit, në programe dhe shërbime shëndetësore.