Përmbledhjen javore në teknologji e fillojmë me Honor Magic V2, telefon ky i cili pesë muaj pas prezantimit në panairin teknologjik në Berlin, pritet të arrijë edhe në tregjet evropiane. I mundësuar nga çipi Snapdragon 8 Gen 2, telefoni vjen me 16 GB RAM dhe një bateri 5.000 mAh. Gjithashtu, Honor Magic V2 përmban një ekran me shpejtësi prej 120 Hz dhe vjen me një çmim fillestar prej 2.000 eurosh.
Këtë javë kemi edhe teleskopin inteligjent. I quajtur Origin, teleskopi është në gjendje të identifikojë se cilën galaktikë apo yll po vëzhgon dhe pamjet t’i shfaqë në televizor. Teknologjia StarSense e përdorur për të krijuar teleskopin, ofron edhe prezantime audio për trupa të ndryshëm qiellor.
Në përmbledhjen javore kemi edhe raportin e firmës analitike dhe kërkimore NewZoo, nga e cila njoftohemi se tregu global i video lojërave, pritet të rritet këtë vit. Në vitin 2024, tregu pritet të rritet me 2.8%, pas rritjes prej rreth 0.6% vitin e kaluar. Kujtojmë që pas dy vitesh rritje të nxitur nga pandemia, tregu i video lojërave ra me 4.3% në vitin 2022.
Të reja javore, kemi edhe nga Komisioni Federal i Tregtisë së SHBA-së (FTC), që ka njoftuar se ka nisur një hetim për investimet dhe partneritetet e disa prej kompanive më të mëdha teknologjike me kompanitë e fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale (Al). Google, Alphabet, Amazon, Anthropic dhe Microsoft, do të hetohen për të kuptuar se çfarë autoriteti dhe të drejtash i kanë dhënë kompanive si OpenAl dhe nëse këto marrëveshje dëmtojnë konkurrencën.