Të rejat javore në teknologji, këtë javë i nisim me kompaninë Samsung, të cilët kanë plasuar në treg modelin më të ri të telefonit ‘Galaxy S24 Ultra’, që i reziston ujit dhe pluhurit si dhe do të jetë i pajisur edhe me Inteligjencë Artificiale të quajtur “Live Translate”, që ka aftësi të përkthejë telefonata në kohë reale. Galaxy S24 Ultra është në gjendje të përkthejë drejtpërsëdrejti thirrjen në gjuhën tuaj, duke ju lejuar të flisni me personin në anën tjetër, pa asnjë problem. Përveç telefonatave me zë, përdoruesit e Galaxy S24, do të mundë të shkruajnë mesazh në gjuhën e tyre, i cili do të përkthehet në gjuhën e personit tjetër, gjatë dërgimit të mesazheve, me anë të funksionit Tap Assist.
Të reja javore kemi edhe nga Instagrami, që duke marr për bazë këshillat e ekspertëve sociale, do detyrojë adoleshentët ta mbyllin Instagramin, të mos qëndrojnë online gjatë orëve të vona të natës. Njoftimi do të shfaqet nëse një adoleshent shpenzon më shumë se 10 minuta në Instagram, qoftë duke parë story-t, ashtu edhe nëse është në kutinë e mesazheve, pra duke folur me dikë.
Të reja teknologjike kemi edhe nga mjekësia. Shkencëtarët në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë, në San Diego kanë shfrytëzuar një algoritëm të mësimit të makinerive për të trajtuar një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballen studiuesit në luftën kundër kancerit – parashikimin se kur kanceri do t’i rezistojë kimioterapisë. Studimi novator u botua në revistën Cancer Discovery, ndërsa shkencëtarët pranojnë se përbërja gjenetike e një tumori ndikon shumë në reagimin e tij specifik ndaj ilaçeve, numri i madh i mutacioneve të gjetura në tumore e ka bërë parashikimin e rezistencës ndaj ilaçeve një detyrë të vështirë. Algoritmi i ri e kapërcen këtë pengesë duke hetuar se si mutacione të shumta gjenetike ndikojnë së bashku në përgjigjen e një tumori ndaj ilaçeve që bllokojnë replikimin e ADN-së në qelizat e kancerit që ndahen me shpejtësi. Modeli ishte në gjendje të identifikonte tumoret me rrezikun më të madh për rezistencën ndaj trajtimit dhe gjithashtu ishte në gjendje të identifikonte pjesën më të madhe të mekanizmit molekular themelor, që çon në rezistencën ndaj trajtimit.