Fillojmë lajmet mbi të rejat teknologjike me një kompani nga Katari, e cila ka prezantuar pajisjen e quajtur Swapery, pajisje kjo e cila mund ta mbushë një telefon celular në vetëm shtatë sekonda. Pajisja pritet të dalë në treg gjatë këtij viti, me një çmim prej 180 funta.
Ndërkohë, këtë javë u njoftuam edhe me një produkt shumë interesant. Kompania teknologjike Clicks, ka prodhuar një mbulesë për iPhon-in e kompanisë Apple, e cila përmban një tastierë fizike për pjesën e poshtme të telefonit. Mbulesa e emëruar Clicks, sipas kompanisë në fjalë, kushton 139 dollarë dhe do të jetë e disponueshme për iPhone 14 dhe iPhone 15, mirëpo vetëm për versionet Pro.
Këtë javë që e lamë pas, gjiganti Microsoft ka kaluar në përfitime të tregut rivalin Apple dhe kjo ka ndodhur për herë të parë që nga viti 2021, duke u bërë kompania më e vlefshme në botë. Javën që po e lëmë pas Microsoft-i arriti vlerën mbi 2.8 trilionë dollarë.