Përmbledhjen teknologjike këtë javë e fillojmë me të rejat nga Samsung, kompani kjo nga e cila në janar të vitit 2024, do të kemi telefona të ri. Është fjala për serinë Samsung Galaxy S24, që pritet të përfshijë tre modele: modelin standard S24, Galaxy S24+ dhe Galaxy S24 Ultra. Nuk dimë shumë detaje për këtë seri të re të telefonave të mençur android, mirëpo sipas ekspertëve të fushës së teknologjisë, seria e re e Smartphone Samsung Galaxy S24, do të jenë kryevepër në çdo aspekt të operimit të tyre.
Të reja këtë javë kishim edhe nga Apple. E njëjta ka humbur në përpjekjen për të bllokuar një padi masive në Londër, në vlerë të shumës rreth 2 miliardë dollarë. Sipas kësaj padie, Apple akuzohet për fshehjen e baterive me defekt në miliona pajisje të iPhone-it. Avokatët thanë se Apple fshehu problemet me bateritë në modele të caktuara telefonash, duke i ‘mbytur’ ato me përditësime të softuerit dhe instaloi një mjet të menaxhimit të energjisë, që kufizoi performancën.
Inteligjenca Artificiale edhe këtë javë mori vëmendje të madhe. Startupi xAI në pronësi të Elon Musk, do të lansojë modelin e tij të parë. Kjo risi vjen gati një vit pas debutimit të chatbotit ChatGPT me Inteligjencë Artificiale, nga OpenAI, ndaj së cilës po shpreh rivalitet Musk. Kujtojmë që Musk, ishte bashkëthemelues i OpenAI në vitin 2018, por u largua nga bordi i kompanisë, vetëm pak muaj më pas.