Përmbledhjen javore në teknologji, e fillojmë me lajme jo të mira nga kompania Apple. Kompania ka pranuar problemin serioz të modeleve të reja iPhone 15 Pro dhe Pro Max. Mirëpo, kjo gjithmonë sipas Apple, që do të adresohet përmes një përditësimi dhe problemi është vënë në pah, pas disa ankesave se telefonat në fjalë, operonin në një temperaturë më të lartë sesa normalisht.
Epic Games, kompania amë e Fortnite, po ashtu ishte pjesë e të rejave teknologjike këtë javë. Kompania në fjalë, po shkurton 870 vende pune apo rreth 16% të fuqisë së saj punëtore. Në një memorandum për stafin, nga Epic deklaruan se ishin përpjekur të ulin kostot, pasi që sipas tyre “shpenzojnë më shumë para sesa fitojnë”.
Me probleme këtë javë që e lamë pas, është ballafaquar edhe aplikacioni TikTok. I njëjti është gjobitur nga Bashkimi Evropian me 368 milionë dollarë, për rrezikim të fëmijëve. Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave, zbuloi se TikTok dështoi të mbronte të miturit nga përpunimi i panevojshëm i të dhënave dhe nuk veproi në mënyrë transparente.
OpenAI, është gjithashtu pjesë e përmbledhjes javore në teknologji. Kompania ka prezantuar versionin e tretë të platformës së saj gjeneruese të artit vizual me Inteligjencë Artificiale DALL-E, që tani lejon përdoruesit të përdorin ChatGPT-në, për të krijuar kërkesa dhe përfshin më shumë opsione sigurie.







