Miliona ton ushqim përfundojnë çdo vit në mbeturina, ndërkohë që miliona njerëz në botë përballen me mungesë ushqimi. Ky kontrast i fortë nxjerr në pah nevojën urgjente për ndryshim në mënyrën se si prodhojmë, konsumojmë dhe menaxhojmë ushqimin.
Çdo vit, në fund të prillit, shënohet “Dita Kundër Hedhjes së Ushqimit”, një nismë globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin për një nga problemet më të mëdha të kohës sonë, shpërdorimin e ushqimit.
Data e sotme 29 prill, na shërben si një thirrje për veprim, si për individët, ashtu edhe për bizneset dhe institucionet. Veprime të thjeshta si planifikimi i vakteve, ruajtja e duhur e ushqimeve dhe përdorimi i mbetjeve në mënyrë kreative mund të bëjnë një ndryshim të madh. Po ashtu, kjo ditë synon të nxisë përgjegjësinë sociale dhe mjedisore, duke theksuar ndikimin që shpërdorimi i ushqimit ka në burimet natyrore dhe në klimë. Reduktimi i mbetjeve ushqimore nënkupton më pak presion mbi tokën, ujin dhe energjinë.
Duke vlerësuar ushqimin dhe duke shmangur shpërdorimin, ne jo vetëm që kursejmë, por kontribuojmë në një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme për të gjithë.







