Filozofia na mëson të mos i pranojmë gjërat ashtu siç na paraqiten, por t’i analizojmë, të shtrojmë pyetje dhe të kërkojmë kuptimin e jetës, të së vërtetës dhe të drejtësisë. Si një nga format më të hershme të mendimit njerëzor, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjen e vazhdueshme të njeriut për të kuptuar veten dhe botën që e rrethon. ‘Dita Botërore e Filozofisë’ e cila shënohet sot, me iniciativën e UNESCO-s, synon të promovojë mendimin kritik, dialogun dhe shkëmbimin e lirë të ideve. Kjo ditë shërben si një kujtesë se filozofia nuk kufizohet vetëm në libra dhe auditorë universitarë, por është e pranishme edhe në jetën tonë të përditshme.
Në një kohë kur informacioni përhapet me shpejtësi, ndërsa opinionet shpesh ngatërrohen me faktet, aftësia për të analizuar, për të vënë në pikëpyetje atë që dëgjojmë dhe për të dëgjuar këndvështrime të ndryshme bëhet më e rëndësishme se kurrë.
Prandaj, ‘Dita Botërore e Filozofisë’ është një ftesë për të reflektuar, për të dialoguar dhe për të mos reshtur së kërkuari përgjigje. Sepse të menduarit në mënyrë kritike nuk na ndihmon vetëm ta kuptojmë më mirë botën, por edhe të bëhemi pjesëmarrës më të vetëdijshëm në shoqëri.







