‘Dita Botërore e Menopauzës’ shënohet çdo vit më 18 tetor, me synim të rritjes së ndërgjegjësimit për menopauzën, simptomat e saj dhe ndikimin e saj në shëndetin e grave. Kjo ditë gjithashtu fokusohet në rëndësinë e edukimit dhe mbështetjes për gratë që përjetojnë menopauzë.
Organizatat përkatëse shpesh e përdorin këtë ditë për të dhënë informacion mbi menaxhimin e simptomave, trajtimet e disponueshme dhe rëndësinë e mirëqenies mendore dhe fizike gjatë këtij tranzicioni.
Fjala “menopauzë” fjalë për fjalë nënkupton mungesën e gjakderdhjes menstruale të gruas. Është ndërprerja e fertilitetit për shkak të mungesës së gjakderdhjes menstruale. Një grua që nuk ka pasur menstruacione për një vit konsiderohet se ka hyrë në menopauzë. Mosha e menopauzës në vendin tonë është përgjithësisht rreth moshave 47-49 vjeç, ndërsa në botë rreth 50-52 vjeç.
Për të pasur një periudhë të shëndetshme gjatë dhe pas menopauzës, kontrollet shëndetësore duhet të kryhen një herë në vit, e sidomos pas moshës 40 vjeçare, është e nevojshme mamografia për kancerin e gjirit, ultrasonografia dhe skriningu për kancerin e mitrës dhe qafës së mitrës.







