“Ju mund të thoni se jam një ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi. Shpresoj se një ditë do të bashkoheni me ne. Dhe bota do të jetojë si një”, kështu ka thënë njeriu i cili do të mbahet në mend, jo vetëm si pjesë e bendit The Beatles, por edhe si një personalitet që ka dhënë e u ka kënduar ideve që pati për paqe, John Lennon. Paqja në mes të gjithë njerëzve pa dallim etnie, përkatësie fetare, race, gjuhe…. është çelësi i botës në të cilën duam të jetojmë.
Të jetuarit së bashku në paqe ka të bëjë me pranimin e dallimeve dhe me aftësinë për të dëgjuar, njohur, respektuar dhe vlerësuar të tjerët si dhe të jetosh në një mënyrë paqësore dhe të bashkuar. Rëndësia e të jetuarit së bashku në paqe është përditshmëri, por më 16 Maj, kjo vlerë e njerëzimit vlerësohet edhe më lart, kur shënohet “Dita Ndërkombëtare e të Jetuarit së Bashku në Paqe”, datë kjo e shpallur nga Kombet e Bashkuara.
Një nga misionarët më të theksuar të paqes, padyshim që janë pjesëtarët KFOR-it, ata që çdo ditë punojë në krijimin e një ambientin sa më paqësor.
Për ushtarin e kontingjentit Danez, Inan, shpërndarja e paqes është mision i tij, jo vetëm që ia ka deleguar detyra, por edhe nga jeta: “Prindërit e mi janë nga Turqia, mirëpo unë kam lindur dhe jam rritur në Danimarkë, kështu që unë di ca për bashkëjetesën, kam përvojë diskriminimi vetë në jetën time andaj sot po i ndihmoj të tjerët që të jetojnë së bashku në paqe pa diskriminim, diçka që unë e vlerësoj shumë”.
Ndërsa për ushtarakun tjetër Danez, Rene, bashkëjetesa në paqe do të thotë shumë: “Për mua personalisht do të thotë shumë të qenit human/njerëzor dhe të jesh njerëzor do të thotë të respektosh njëri-tjetrin dhe të jetosh mes njëri-tjetrit.”
Se të jetuarit bashkë, duke respektuar dhe kuptuar njëri-tjetrin tejkalon çdo sfidë dhe prodhon ambient paqësor, e thonë edhe komuniteti serbë dhe shqiptarë në Kosovë.
Edhe Znj. Milena Maksimovic, që vjen nga komuniteti serb në Kosovë, për Radio KFOR-in thotë: “Është shumë e rëndësishme që ne të jetojmë në paqe dhe të trajtojmë njëri-tjetrin ashtu si ne do të donim që të tjerët të na trajtonin neve. Feja, ngjyra e lëkurës dhe kombësia nuk janë të rëndësishme. Është e rëndësishme të jesh njerëzor dhe ta mbash gjithmonë këtë në mendje.”
Ndërsa Alket Zeqiri, që vjen nga komuniteti shqiptar, thotë se diversiteti është bukuria e botës: “Që të jetojmë së bashku në paqe, vetëm duhet t’i pranojmë dallimet mes njerëzve. Diversiteti e bënë botën të bukur dhe ne duhet të kemi aftësinë për të dëgjuar, njohur, respektuar dhe vlerësuar të tjerët, pa dallim kulture apo etnie.”
Siç ka thënë edhe shkrimtari Elie Wiesel, “Paqja është dhurata jonë për njëri- tjetrin”, andaj ta dhurojmë atë çdo ditë, në shoqërinë tonë, në rrethin tonë dhe gjithandej, në mënyrë që të jetojmë në një botë ku mbizotëron paqja.