Dita e Shën Valentinit na vjen çdo vit, si një kujtesë e bukur që ne, duhet të dashurojmë çdo ditë. Kjo ditë lidhet me dashurinë mes çifteve, mirëpo dashuria ka shumë forma; dashuri për familjen, për miqtë, për njerëzit që na mbështesin dhe na qëndrojnë pranë. Madje, kjo ditë mund të jetë edhe një kujtesë për dashurinë ndaj vetes për të vlerësuar veten, për të qenë mirënjohës dhe për të jetuar me më shumë pozitivitet.
Sot, më 14 shkurt, duket sikur dashuria merr frymë më thellë. Rrugët mbushen me trëndafila të kuq, vitrinat ndriçojnë dhe zbukurohen me zemra, ndërsa mesazhi ‘Të dua’, shkruhet më shpesh se kurrë. Kjo festë është kthyer në një simbol të ndjenjave të sinqerta, të romancës dhe të kujdesit ndaj personave që kemi pranë. Por përtej dhuratave e luleve, Shën Valentini mbart një kuptim më të thellë: rëndësinë e dashurisë në jetën e përditshme.
Në këtë ditë, njerëzit shprehin dashurinë e tyre në forma të ndryshme: me një mesazh të ëmbël, një dhuratë simbolike, një përqafim të sinqertë apo thjesht me praninë e tyre.
Fjalët “Të dua” janë një nevojë njerëzore, sepse përmes tyre ne shprehim atë që na lidh më fort me njëri-tjetrin, dashurinë. T’i themi këto fjalë nuk është dobësi, por forcë – forcë për të ndërtuar marrëdhënie më të mira dhe një shoqëri më të ngrohtë.







