Nga data e sotme 25 nëntor e deri më 10 dhjetor, bota shënon fushatën ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore”, e cila këtë vit zhvillohet nën temën “Të bashkuar për t’i dhënë fund dhunës digjitale kundër të gjithëve”. Kjo nismë e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të mobilizojë veprime konkrete për të luftuar format e reja të dhunës, që ndodhin në hapësirën digjitale.
Dhuna digjitale ndaj grave dhe vajzave është bërë një problem në rritje, që përfshin ngacmimet në internet, shpërndarjen pa leje të imazheve personale, kërcënimet dhe diskriminimin në platformat online. Përmes kësaj fushate, organizatat ndërkombëtare, qeveritë, institucionet arsimore dhe shoqëria civile po bëjnë thirrje për krijimin e një interneti të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të respektueshëm për të gjithë. Fushata përkon me datën 25 nëntor ‘Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave’ dhe përmbyllet më 10 dhjetor, në ‘Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut’, duke nënvizuar lidhjen e ngushtë midis barazisë gjinore dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut. Në thelb të kësaj fushate qëndron mesazhi i fuqishëm i OKB-së: Asnjë formë dhune, as fizike, as psikologjike, as digjitale nuk duhet të tolerohet.
Kjo është një thirrje globale për veprim, solidaritet dhe mbrojtje të dinjitetit njerëzor në çdo hapësirë, përfshirë edhe botën virtuale.







