Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por një problem shoqëror që prek familjet, komunitetet dhe shoqërinë në gjithë botën. Dhuna mund të marrë shumë forma, si: fizike, psikologjike, seksuale apo ekonomike si dhe kërkon zero tolerancë në çdo nivel.
Çdo vit, më 25 nëntor, bota bashkohet për të shënuar “Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”, një datë e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të bërë thirrje për veprim kundër një prej shkeljeve më të përhapura të të drejtave të njeriut. Nën moton globale “Bashkë për t’i Dhënë Fund Dhunës ndaj Grave”, organizata dhe institucione në mbarë botën zhvillojnë aktivitete ndërgjegjësuese, fushata informuese dhe nisma solidariteti për të mbështetur gratë dhe vajzat që përballen me dhunë, duke i inkurajuar ato të flasin dhe të kërkojnë ndihmë.
Ngjyra portokalli është simbol i kësaj dite dhe përfaqëson shpresën, ndriçimin si dhe një të ardhme pa dhunë. Prandaj le të jetë 25 nëntori, një kujtesë për të gjithë ne, se barazia, respekti dhe dinjiteti janë themel i një shoqërie të drejtë dhe të sigurt për çdo grua e vajzë.







