Prizreni do të hapë ‘Panairi i Punës’, me datën 31 tetor 2018, në qendrën sportive ‘Sezai Surroi’, duke ia mundësuar të rinjve të takohen me punëdhënës të mundshëm dhe ti prezantojnë shkathtësitë e tyre. Kompanitë pjesëmarrëse do të paraqesin vendet e lira të punës apo praktikës në punë për punë-kërkuesit në këtë qytet. Këshilltarja për promovimin e punësimit të të rinjve në këtë projekt Vjosa Mullatahiri, në një prononcim për Radio KFOR-in, tregoi se ky projekt ka për qëllim të lidhë punë-kërkuesit e rinj me biznese që kërkojnë fuqi punëtore:
“Në kuadër të projektit të ‘GIZ’-it i cili quhet ‘Rinia, Punësimi dhe Aftësimi’, është një aktivitet që organizata në bashkëpunim me ‘Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale’, ‘Agjensinë e Punësimit të Kosovës’, Komunën e Prizrenit si dhe organe të tjera, kemi organizuar ‘Panairin e Punës’, ku kompani dhe organizata që kanë pozita të punës dhe të rinjtë që i plotësojnë kriteret do të kenë mundësi të takohen me punëdhënës të ardhshëm”.
Në këtë panair, do të marrin pjesë gjithsej 40 kompani që do të shpallin 700 pozita të reja të punës në fusha të ndryshme.