Sfidat e menaxhimit të ujit, rëndësia dhe kujdesi për ujin, ndryshimet klimatike etj., janë vetëm disa prej gjërave që diskutohen e vihen në pah në ditën e sotme, “Ditën Botërore të Ujit” që kërkon vetëdijesimin e banorëve të planetit Tokë, për ruajtjen dhe kujdesin ndaj burimit të jetës, ujit.
“Dita Botërore e Ujit”, u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993, e cila caktoi 22 marsin e çdo viti, si ditë zyrtare për të festuar dhe nxitur veprime për mbrojtjen e burimit të ujit. Kjo ditë, ka për qëllim të sensibilizojë publikun në lidhje me rëndësinë e ujit për jetën dhe për të nxitur veprime për të siguruar qëndrueshmërinë e përdorimit të ujit.
“Uji është pjesë e pandashme e jetës sonë, madje ujin e zëvendëson vetëm uji”, shkruan kështu Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, e cila ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, me rastin e shënimit të “Ditës Botërore të Ujit”, do të mirëpresë vizita nga nxënës që të marrin shumë njohuri për ujin, në Impiantin e Trajtimit të Ujit, në Shkabaj.