Moti i ftohtë, nuk duhet të jetë pengesë për tu stërvitur dhe për të qëndruar në formë, edhe pse të ngrihesh nga shtrati është një ‘luftë’, ne duhet të gjejmë forcën për të ushtruar. Ekspertët na tregojnë se si të qëndrojmë në formë edhe nëse nuk kemi mundësi të shkojmë në palestër:
– Shfrytëzoni shkallët: Në vend që të hipni në ashensor, përdorni shkallët. Ju mund ta bëni një rutinë të ecjes lart e poshtë shkallëve, disa herë në ditë.
– Qëndroni të hidratuar: Ashtu si në verë, edhe përgjatë stinës së dimrit është po aq e rëndësishme të qëndroni të hidratuar. Merrni ujë para dhe pas stërvitjeve, kur zgjoheni nga gjumi dhe gjatë gjithë ditës. Ju mund të pini edhe ujë të ngrohtë, me çaj bimor ose çaj limoni, nëse nuk ju pëlqen uji i thjeshtë.
– Merru me ndonjë aktivitet apo sport edhe në ambient të brendshëm: Sportet apo aktivitetet e mbajtura në ambientet e brendshme, janë gjithashtu efektive për muajt e dimrit. Pra, mund të jetë volejboll, basketboll, etj.
– Regjistrohuni për ushtrime në grup: Mund të bashkoheni në klasa gjimnastike ose joga. Puna në grup do t’ju ndihmojë të qëndroni të motivuar dhe të përgjegjshëm, duke reduktuar shanset për të humbur seanca.
Stërvitjet janë thelbësore për një jetesë të shëndetshme, prandaj është mirë të ushtrojmë edhe përgjatë stinës së dimrit dhe përgjatë gjithë vitit!