Kampanja #StayHome, e cila po përkrahet edhe në vendin tonë, po del të jetë një masë parandaluese shumë efikase në luftimin e COVID-19. Me përhapjen e shpejtë të këtij virusi, shtetet më të mëdha të botës inkurajuan të gjithë që të mbajnë distancën sociale dhe të qëndrojnë brenda ambienteve të shtëpisë, për të mbajtur kështu të sigurt veten, familjarët dhe rrethin.
Më këtë rast, disa artistë të vendit tonë përmes Radio KFOR-it, dhanë gjithashtu disa mesazhe mjaft pozitive dhe ide të reja se si ta kalojmë kohën në shtëpi:
Këngëtari, Asim Gashi – “Ju përshëndes të gjithëve. Infermierët, mjekët, policia të gjitha institucionet përkatëse janë në punë, kurse unë e kisha pas një kërkesë për të gjithë ju, të qëndroni në shtëpi që ta kalojmë këtë pandemi sa më shpejtë. Rri në shtëpi, kënaqu me familjen tënde.”
Aktori, Miran Ramadani – “Përshëndetje të gjithë dëgjuesve të Radio KFOR-it, ju kisha lutur shumë të rrini në shtëpi, nuk po preferohet qëndrimi jashtë, rrini në shtëpi në ambientin e sigurtë, përqafoni njerëzit në shtëpi dhe ruani ata me shumë dashuri! Për ju, Miran Ramadani.”
Solisti i grupit 04 BAND, Ideal Qoqaj – “Miq të dashur, kohën që e kaloni në shtëpi nuk do të thotë të jetë e mërzitshme. Ju mund të lexoni një libër, mund të mësoni një instrument të ri, mund të kaloni më shumë kohë me familjen dhe t’i njihni ata më mirë. Stay Home, Stay Safe! Mund ta kalojmë këtë sfidë së bashku, si çdo sfidë tjetër.”