Sot, Rubrika ‘Artist of the Day’ është ndarë për bendin e famshëm të vajzave, ‘Spice Girls’ të cilat në mesin e viteve të 90-ta përveç revolucionit që shënuan në muzikë, arritën t’i thyejnë edhe stereotipet, duke fuqizuar gratë në gjithë botën. Grupi ishte themeluar më 1994 dhe përbëhej nga 5 anëtaret: Melanie Brown, Melanie Chisholm, Emma Bunton, Geri Halliwell dhe Victoria Beckham. Grupi bëri debutimin e tyre më 1996, me hitin ‘Wannabe’, e cila arriti pozitën e parë në 37 vende të ndryshme të botës. Albumi i tyre i parë, ‘Spice’ shiti më shumë se 31 milionë kopje në të gjithë botën, duke u bërë albumi më i shitur nga një grup vajzash. Në të njëjtin vit, grupi publikoi edhe këngën tjetër, ‘Say You’ll Be There’.
Më 1997, ‘Spice Girls’ fitoi dy çmime ‘Brit Awards’ një për videon më të mirë britanike me hitin ‘Say You’ll Be There’ dhe tjetrën për këngën më të mirë britanike për ‘Wannabe’. Grupi performoi ‘Who Do You Think You Are’ në hapje të ‘Brit Awards’, ku anëtarja Geri Halliwell kishte veshur një fustan me flamurin e Anglisë, që u bë një nga veshjet më të famshme të historisë pop. Ky fustan u bë sinonim i ‘Spice Girls’ që nga ajo ditë, duke u bërë edhe pjesë e rekordeve ‘Guinness’, si veshja më e shtrenjtë e këngëtarëve, e shitur në një ankand për 41 mijë funta. Në të njëjtin vit, grupi i vajzave fitoi edhe katër çmime në ‘Billboard Music Awards’. Pas këtyre sukseseve, grupi publikoi albumin e tyre të dytë ‘Spiceworld’ i cili vendosi një rekord të ri, me 20 milionë kopje të shitura në gjithë botën. Më 1998, grupi i vajzave fituan edhe tri çmime tjera në ‘American Music Awards’.
Turneun e tyre të parë botëror në Evropë dhe Amerikën e Veriun, grupi e realizuan më 1998. Në maj të të njëjtit vit, anëtarja Halliwell njoftoi se do të largohej nga ‘Spice Girls’ pasi që kishte nevojë për pushim. Largimi i saj nga grupi shokoi fansat dhe një gjë e tillë bëri që pas tri vitesh, më 2001, grupi të ndahet. Kënga ‘Viva Forever’ ishte kënga e tyre e fundit si ‘Spice Girls’. Pikërisht për shkak të fansave të tyre, grupi ishte rikthyer edhe njëherë bashkë më 2007 duke organizuar një turne botëror, të titulluar ‘Spice Girls: Giving You Everything’.
Grupin e vajzave të bashkuara i pamë edhe në spektaklin bamirës, ‘Children in Need’ ku kishin kënduar këngën e tyre më të re, ‘Headlines’. Më 2010, ‘Spice Girls’ u paraqitën bashkë edhe në ceremoninë ‘Brit Awards’ ku fituan ‘Performancën më të mirë në 30 vite’. Pa dyshim, ‘Spice Girls’ janë suksesi më i madh britanik i muzikës pop, pas ‘The Beatles’.