E shtuna e fundit e muajit prill, është e rezervuar për shënimin e “Ditës Botërore të Veterinarisë”, e cila ka për qëllim që të vë në pah rolin e profesionistëve veterinerë në mbrojtjen e shëndetit global. Këtë vit (2021) “Ditës Botërore të Veterinarisë”, shënohet sot, me 24 prill. Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Kryetarin e Odës Veterinare të Kosovës, z. Arben Sinani, i cili tha: “Sa i përket “Ditës Botërore të Veterinerëve”, është një ditë që ka filluar të shënohet qysh nga viti 2000. Është menduar nga Asociacioni i Veterinerëve Botëror, që të shënohet si ditë e tyre. Sa i përket rëndësisë kjo ditë në nivel botëror shërben për të shpalosur vlerat dhe rëndësinë e profesionit veterinar. Çdo vit Asociacioni i Veterinerëve Botëror cakton një temë, për shembull këtë vit tema është “Përgjigja veterinare ndaj krizës Covid-19” dhe shtjellon përgjegjësinë dhe gatishmërinë e veterinerëve në përkrahje të problemeve që ka shkaktuar pandemia.”
Z. Sinani, gjithashtu shtoi se shërbimi veterinar funksionon me parimin, një shëndet për të gjithë, ku mjedisi, kafshët dhe shëndeti i njeriut janë të ndërlidhura dhe duhet të kemi një koordinim më të mirë në aspektin e funksionit të shëndetit të të gjithë zinxhirit natyror.