Sot (2 prill), shënohet “Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizëm”, e organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që nga viti 2007. Shënimi i kësaj dite ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me këtë problem, ku vlerësohet se 1% e popullatës globale janë autik.
Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, ndonjëherë në foshnjëri, por përgjithësisht nga prindërit shenjat mund të vërehen tek fëmijët e tyre përpara moshës tre vjeç. Njerëzit me autizëm mund të kenë vështirësi në situata sociale, të shfaqin sjellje të përsëritura, të vuajnë nga ankthi ekstrem, të jenë tepër të ndjeshëm apo edhe të pandjeshëm ndaj zhurmave dhe dritave dhe mund të fokusohen shumë në aktivitetet që u pëlqejnë.
Nën moton “Ndërtimi i një shoqërie gjithëpërfshirëse për njerëzit autik”, fushata e këtij viti (2023), do të jetë një mundësi për të reflektuar mbi përparimet e arritura deri më tani, për komunitetin e autizmit dhe puna që mbetet për tu bërë për të përmirësuar jetën e personave autik.