Në mbarë botën, sot festohet ‘Dita Ndërkombëtare Olimpike’, një ngjarje e cila mbahet çdo vit më 23 qershor, për të nderuar themelimin e Lëvizjes Olimpike bashkëkohore, nga Pierre de Coubertin, në vitin 1894. Kjo është një festë globale, që synon të promovojë vlerat e miqësisë, respektit dhe përsosmërisë, të cilat janë themel i Lojërave Olimpike.
‘Dita Ndërkombëtare Olimpike’ është një mundësi për të gjithë njerëzit, pavarësisht moshës, gjinisë apo aftësive fizike, që të marrin pjesë në aktivitete sportive dhe rekreative. Në mbarë botën Komitetet Olimpike Kombëtare, organizojnë gara, aktivitete edukative dhe ngjarje kulturore, për të inkurajuar pjesëmarrjen dhe për të festuar frymën olimpike.
Lojërat Olimpike konsiderohen garat më të mëdha sportive në botë me më shumë se 200 vende pjesëmarrëse. Lojërat Olimpike mbahen çdo katër vjet, me Lojërat Verore dhe Lojërat Dimërore të alternuara çdo katër vjet, me nga dy vjet larg njëra tjetrës.
Në vendin tonë, Komiteti Olimpik i Kosovës organizon një sërë aktivitetesh, duke përfshirë gara sportive, seminare mbi historinë dhe rëndësinë e Lëvizjes Olimpike si dhe aktivitete të ndryshme edukative dhe argëtuese për fëmijët dhe të rinjtë. Qëllimi kryesor është të promovojë një mënyrë jetese aktive dhe të shëndetshme si dhe të inkurajojë pjesëmarrjen e të gjithëve në sport, si një mjet për ndërtimin e komuniteteve më të forta dhe më të lidhura.
Vlen të përmendet që sivjet organizohet edicioni i 32-të i Lojërave Olimpike Verore, nga data 26 korrik deri më 11 gusht, në Paris të Francës.