‘Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve’ shënohet çdo 4 maj, e themeluar në vitin 1999 pas vdekjes së pesë zjarrfikësve në ngjarjet tragjike në një zjarr në Australi.
Zjarrfikësit nderohen në këtë ditë në mbarë botën dhe falenderohen për punën e madhe që bëjnë duke rrezikuar jetën e tyre çdo herë që ata thirren në detyrë.
Kryesues i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, në një prononcim për Radio KFOR-in tha se kjo ditë, zjarrfikësit në vend i gjen me problemte të shumta: “Numri i zjarrfikësve është shumë i vogël, 760 në tërë Kosovën. Duhet të jetë për 1.000 banorë, një zjarrfikës. Ky është problemi kryesor”, tha z. Beka. Ai shtoi se edhe automjetet dhe pajisjet që punojnë janë të pamjaftueshme, mirëpo kryesindikalisti Beka tha se ka ndryshime pozitive në rregullim të statutit të zjarrfikësve, duke pasur përkrahjen e qeverisë: “Janë ndarë 1 milionë e 700 mijë euro për kompensim të ndërrimeve të natës, orëve shtesë dhe festave. Dhe, në ligjin për pagat, jemi nivelizuar me policinë e Kosovës”.
Për të shënuar këtë ditë, në mbarë botën do të mbahen aktivitete të ndryshme, si: parada nëpër rrugë, vetëdijësim nëpër shkolla dhe përkujtime të atyre që kanë humbur jetën në detyrë.