“Asnjë njeri nuk ka lindur duke e urryer një tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës, prejardhjes apo religjionit të tij. Njerëzit mësohen për të urryer dhe nëse ata mund të mësojnë të urrejnë, ata mund të mësojnë edhe të duan dhe dashuria është më se e mirëseardhur se sa urrejtja në zemrën e tyre.” Kjo është vetëm një nga thëniet e Nelson Mandelës, i cili njihet si njeri i urtësisë, drejtësisë, barazisë dhe paqes në botë. Thënie të tilla janë të rëndësishme të kujtohen sidomos në ditë si kjo sot (10 dhjetor), në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Për të tretin vit me radhë kjo ditë do të shënohet edhe në Kosovë nga Zyra e Avokatit të Popullit. Radio KFOR-i ka kontaktuar zëvendësen e Avokatit të Popullit, Edona Hajrullahu, e cila na tregoi më shumë për aktivitetet që kanë organizuar për shënimin e kësaj dite:
“Si institucion për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, këtë herë Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut do e shënojmë me dy aktivitete. Fillimisht kemi lansimin e një platforme për të drejtat e njeriut, e cila bën një përmbledhje të legjislacionit vendor dhe konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Këtë vit theksi do të vihet te e drejta për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm.”
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor të vitit 1948 miratoi Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Pas këtij akti historik, Asambleja kërkoi nga të gjitha vendet që të përpiqen ta përhapin, ta paraqesin, ta lexojnë dhe ta shpjegojnë sidomos nëpër shkolla këtë Deklaratë.