Data e sotme 19 nëntor, shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gazetarëve’, për të kujtuar të gjithë gazetarët që kanë humbur jetën ndër vite, gjatë kryerjes së punës së tyre.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i ka kontaktuar kryetaren e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, e cila tha: “Kur sulmet ndaj gazetarëve mbeten të pandëshkuara, dërgohet një mesazh shumë negativ. Për më tepër, shoqëria e humb besimin në sistemin e saj gjyqësor, që ka për qëllim të mbrojë të gjithë nga sulmet ndaj të drejtave të tyre.”
Tutje ajo tha se mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve inkurajon sulmuesit, meqë përçohet një mesazh i tillë se ata mund të sulmojnë objektivat e tyre pa u përballur kurrë me drejtësinë.
Sipas Organizatës ‘Reporterët Pa Kufij’, gjatë vitit 2019 janë vrarë 49 gazetarë, 57 të tjerë janë mbajtur si pengje, ndërsa 389 të tjerë janë burgosur, gjatë kryerjes së detyrave të tyre.