Në dhjetor, të vitit 2000, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, duke marrë parasysh numrin e madh dhe në rritje të emigrantëve në botë, shpalli datën e sotme 18 dhjetorin ‘Ditë Ndërkombëtare të Emigrantëve’.
Migracioni është një fenomen që ka prekur çdo cep të globit dhe që ka pasur ndikim të madh në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të shoqërive. Sipas Kombeve të Bashkuara, numri i emigrantëve ndërkombëtarë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur në mbi 280 milionë njerëz që jetojnë jashtë vendlindjes së tyre. Ky fenomen vjen për shkaqe të ndryshme, si faktorët ekonomikë, politikë, mjedisorë dhe ata të sigurisë.
Migrimi paraqet sfida të shumta duke prekur shpesh shkeljen e të drejtave të njeriut, diskriminimin, racizmin, aspektet ekonomike si dhe ato të sigurisë së personave që migrojnë.
Edhe pse emigrantët përballen me shumë sfida, ata kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërive që i presin. Ata kontribuojnë në fushat e punës, duke mbushur boshllëqet në tregjet e punës dhe duke sjellë përvojë të re dhe diversitet kulturor. Shumë prej emigrantëve, janë kontribuues të mëdhenj në zhvillimin ekonomik të vendeve pritëse.







