‘Dita e Gjuhës Spanjolle’ shënohet çdo vit me datën 23 Prill. Në këtë datë nderohet edhe veprimtaria e autorit Miguel De Cervantes Saavedra, autor spanjoll, që me veprën Don Kishoti, u bë i njohur në gjithë botën dhe kjo vepër arriti të përkthehet në më shumë se 60 gjuhë të botës.
Gjuha spanjolle, është gjuha e dytë më e folur në botë, me më shumë se 400 milion folës dhe po ashtu është gjuhë zyrtare në 31 vendë të botës.
Elemente të kësaj gjuhe dhe kësaj kulture gjenden edhe në vendin tonë, të cilat janë mbajtur gjallë përmes librave, serialeve televizive dhe gjithashtu përmes vallëzimit latin. Mirëpo, për sfidën e të mësuarit spanjollisht, për Radio KFOR-in foli studentja e shkencave juridike, Dafina Aliu, e cila njëherit është edhe autodidakte gjuhë spanjolle: “Futbolli dhe muzika kanë pasur ndikimin më të madh në mua për të mësuar gjuhën spanjolle. E mbaj në mend që kam fillu duke i përkthyer tekstet e këngëve dhe gradualisht mësoja shprehje e fjalë të reja. Diçka që kisha dashtë me theksu për këtë gjuhë dhe kulturën latine në përgjithësi është gjallëria që e përmban e që reflekton në pozitivitet.”