Data e sotme, 12 tetori, shënon edhe ‘Ditën e Gjuhës Spanjolle’, e iniciuar nga Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) dhe është një nga gjuhët kushtuar gjashtë gjuhëve zyrtare të OKB -së. Data për Ditën e Kombeve të Bashkuara për ‘Gjuhën Spanjolle’, u zgjodh sepse gjithashtu sot, shënohet Dita Kombëtare e Spanjës.
Për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i ka kontaktuar mësimdhënësen e gjuhës spanjolle, Feride Rusinovci, e cila potencoi: “Gjuha spanjolle pëlqehet shumë në vendin tonë, pasi që shumica prej nesh kemi pasur rastin ta dëgjojmë shumë shpesh në kanalet tona televizive, apo që nga fëmijëria. Mendoj që në Kosovë, nëse çmimet e kurseve për të përvetësuar gjuhën spanjolle janë racionale, atëherë edhe interesimi i të rinjve për ta mësuar atë, do të ishte më i madh.”
E përdorur nga më shumë se 400 milionë folës në të gjithë botën, spanjishtja i përket katër gjuhëve më të folura në botë. Për më tepër, spanjishtja është gjuhë zyrtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe konsiderohet si gjuhë botërore.