Ushqimi është thelbi i jetës dhe ekzistencës sonë. ‘Dita Botërore e Ushqimit’, shënohet çdo vit me 16 Tetor që nga viti 1981 dhe përkon edhe me ditën e themelimit të ‘Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Bujqësisë’ nga Kombet e Bashkuara. Nëpërmes kësaj dite, kjo organizatë synon të rrisë nivelet e të ushqyerit në të gjithë globin, të përmirësojë produktivitetin bujqësor në të gjitha nivelet, të përmirësojë jetën e zonave rurale dhe të kontribuojë në rritjen e ekonomisë botërore.
Edhe në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se Kosovës (AUVK) është autoriteti më i lartë për Ushqim dhe Veterinari, që është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerëzve, përfshirë edhe ushqimin e kafshëve, shëndetin e bimëve dhe cilësinë e ushqimit me prejardhje bimore dhe shtazore. Për këtë ditë Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me drejtorin ekzekutiv të ‘Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës’, Naser Krasniqi, i cili tha se siguria e ushqimit në Kosovë është e lartë: “Dita Botërore e Ushqimit shënohet edhe në Kosovë dhe ‘Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës’, ka për obligim sigurinë ushqimore për të mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve. Ushqimi në Kosovë është i sigurt, sepse të gjitha produktet ushqimore që hyjnë në Kosovë por edhe që prodhohen në Kosovë, kontrollohen përmes inspektoratit hidrosanitar dhe veterinar dhe bëhen analiza, matje dhe kontrolle të ushqimeve. Ne hasim në kërkesa dhe ankesa edhe nga qytetarët dhe secila prej tyre trajtohet dhe menjëherë inspektorët dalin në terren.”
Mbi 800 milion njerëz në botë ende nuk kanë qasje të rregullt në ushqim të sigurt, ushqyes dhe të mjaftueshëm. Kriza shëndetësore globale ‘COVID-19’, ka shërbyer edhe për të reflektuar mbi gjërat që ne vërtet i çmojmë dhe nevojat tona më themelore. Prioritet këtë vit për ‘Organizatën Botërore të Ushqimit’, do të jetë qasja në ushqim të sigurt dhe ushqyes veçanërisht për komunitetet e varfëra dhe të prekshme, të cilët u goditen më shumë nga pandemia.