Data e sotme 7 Qershor, 2020, shënon vitin e dytë me radhë të shënimit të ‘Ditës Botërore të Ushqimit të Sigurt’. Fushata e këtij viti ka të bëjë me promovimin e vetëdijes dhe nxitjen e veprimeve duke nënvizuar se çfarë mund të bëjmë ne të gjithë për të siguruar ushqim të sigurt. Tema për këtë vit (2020), është caktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), “Siguria e ushqimit, është punë e të gjithëve”, fushatë kjo e cila promovon vetëdijen globale për sigurinë e ushqimit dhe u bënë thirrje vendeve vendimmarrësve, sektorit privat, shoqërisë civile, organizatave të KB dhe publikut të gjerë, që të ndërmarrin veprime për të ruajtur ushqimin nga spërkatjet e rrezikshme dhe të dëmshme për shëndetin, pasi që siguria e ushqimit është një përgjegjësi e përbashkët midis qeverive, prodhuesve dhe konsumatorëve.
Për të folur për ushqimin, Radio KFOR-i ka kontaktuar dietologen dhe njëherit nutricionisten, Vala Pupovci, e cila potencoi: “Të ushqyerit e shëndetshëm dhe ushqimi i sigurt, janë pjesë tejet të rëndësishme për të pasur një jetë të shëndetshme. Konsumimi i ushqimeve të shëndetshme dhe llojllojshme ndihmon në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme, por edhe në zvogëlimin e rrezikut për sëmundje si sëmundjet e zemrës, gjakderdhje në tru, kancer, diabet, osteoporozë si dhe ndihmon në menaxhimin e peshës. Në mënyrë që të ushqehen shëndetshëm, njerëzit duhet të konsumojnë ushqime nga të gjitha grupet ushqimore, përfshirë këtu drithërat integrale, mishin, peshkun, vezët apo fasulet e ndryshme, produkte të qumështit, fruta dhe perime si dhe një sasi të yndyrërave të shëndetshme. Kur të ushqyerit shëndetshëm kombinohet me aktivitet fizik arrihet balancë e duhur për të mbajtur një peshë trupore normale, gjë që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të ndryshme.”
Të gjithë kanë një rol të luajnë nga ferma në tryezë për të siguruar që ushqimi që konsumojmë është i sigurt dhe nuk do të shkaktojë dëme në shëndetin tonë.