Në kalendarin e datave të rëndësishme për t’u shënuar, 27 Shtatori i është ndarë ‘Ditës Botërore të Turizmit’. Sektori i turizmit është dëmtuar shumë këtë vit, shkaku i gjendjes pandemike thotë drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Guidave Turistike të Kosovës, ‘GUIDEKS’, Z. Enes Toska, i cili shtoi se bazuar në hulumtimet e bëra, 90 për qind e grupeve të planifikuara kanë anuluar vizitat e tyre në Kosovë. Ai po ashtu tregoi se cila është tema e këtij viti, për ‘Ditën Botërore të Turizmit’: “Turizmi dhe zhvillimi rural është tema që është përzgjedhur këtë vit nga Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara. Kjo temë e përzgjedhur feston aftësinë unike të sektorit për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të ofruar mundësi jashtë qyteteve të mëdha, përfshirë ato komunitete që përndryshe do të liheshin pas. Tema specifike ndërlidhet edhe me Kosovën pasi që vendi ynë ka shumë lokalitete ku do të mund të zhvillohej turizmi rural, pasi kemi një urbanizim dhe dendësi të madhe në qendrat urbane. Këto destinacione të turizmit rural ofrojnë trashëgimi kulturore të veçantë, përfshi edhe ushqime tradicionale dhe ato bio si dhe aktivitetet të ndryshme që do të mund të zhvilloheshin sikurse turet me biçikleta, hiking, etj”.
Zotëri Toska, tutje për Radio KFOR-in shtoi se ‘GUIDEKS’, ka për mision promovimin e Kosovës si destinacion turistik dhe punën e guidave turistike profesionale të certifikuara: “Misioni ynë përfshin edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore si resurse të pandashme për zhvillim të turizmit.”