Në kalendarin e datave të rëndësishme, 17 maji, shënon ‘Ditën Botërore të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit’.
Një ditë e tillë synon promovimin dhe informimin e të gjithëve mbi mundësitë që ofron bota e teknologjisë informative, thotë për Radio KFOR-in, Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë ‘Kutia’, Arianit Fazliu, i cili më tej shtoi: “Ajo që ne sot përjetojmë është lidhja jonë me pajisje, përmes së cilave lehtësojmë komunikimin tonë me familjarë e të afërm kudo që janë. Ndikimi që sot mund të bëhet në çdo sferë të jetës duke përdorë internetin është i jashtëzakonshëm. Secili prej nesh mund të jap kontributin e tij/saj për një jetë më të mirë duke shpërndarë informata të sakta, duke raportuar dukuritë negative në shoqëri, duke zhvilluar biznes e hapur vende të punës, pikërisht duke përdorur këto mundësi që sot kemi afër nesh. Teknologjia informative sot në botë dhe Kosovë i sjell të mira shoqërisë dhe ekonomisë, po ashtu lidh komunitetet, shtetet e qytetet duke mundësuar rritje dhe qasje në treg ndërkombëtar.”
Shënimi i kësaj dite më 17 maj, shënon përvjetorin e nënshkrimit të Konventës së parë Ndërkombëtare të Telegrafit dhe krijimit të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.