Këtë vit ‘Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifhobisë’, e gjen Kosovën në një situatë shumë të favorshme për komunitetin LGBTI, falë mbështetjes së vazhdueshme institucionale.
Këtë e pohon edhe Organizata Joqeveritare “CSGD KOSOVO”, të cilët i gëzohen faktit se që nga muaji prill i vitit 2019, në Kosovë ka hyrë në fuqi kodi i ri penal, i cili përfshinë 7 vepra penale.
Megjithatë, ky komunitet vazhdon të përballet me diskriminim shoqëror, për ndikimin e të cilit, më shumë për Radio KFOR-in, foli specialisti i Psikologjisë Klinike, z. Imri Zabeli: “Qasja e papërshtatshme ndaj komunitetit LGBTI dhe ekspozimi ndaj rrethanave diskriminuese ndikon në mirëqenien e tyre socio-emocionale. Ekspozimi i gjatë në një mjedis stresues, ndikon në uljen e reziliencës (aftësisë përballuese) të çdo individi, përfshirë këtu dhe anëtarët e komunitetit LGBTI, ku si rrjedhojë jo rrallë vuajnë nga ankthi, depresioni, abuzimi me substanca, e deri tek tentimi apo realizimi i vetëvrasjes.”
Kjo datë u zgjodh për të përkujtuar vendimin, për të hequr homoseksualitetin nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) në vitin 1990.
Vlen theksuar se sot (17.05.2020) për nder të shënimit të kësaj dite, do të ndriçohet ndërtesa e Qeverisë.