Që nga viti 2009, çdo 12 nëntor, shënohet ‘Dita Botërore e Pneumonisë’, me qëllim të vetëdijesimit të njerëzve për faktin që pneumonia është një nga sëmundjet infektive më të rrezikshme në botë, andaj duhet trajtuar me kujdes.
Për ta shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i ka kontaktuar doktorin, Boban Jovanoviq (Boban Jovanović), i cili tha se pneumonia është një nga sëmundjet më të rrezikshme, që prek edhe sistemin e frymëmarrjes: “Pneumonia është një inflamacion akut infektiv i mushkërive. Kjo është sëmundja më e rrezikshme e sistemit të frymëmarrjes dhe mund të shkaktohet nga mikroorganizma të ndryshëm. Ajo mund të shfaqet tek të gjitha moshat, por më të ndjeshmit janë të sëmurët kronikë dhe ata me sistem të dobësuar imunitar. Simptomat mund të përfshijnë kollitje, dhimbje gjoksi, ethe dhe vështirësi në frymëmarrje.”
Pneumonia është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve tek fëmijët, nën 5 vjeç, derisa, ata që jetojnë në bashkësi të varfra, janë më të ekspozuar ndaj rrezikut për t’u prekur nga kjo sëmundje.