Sot, më 18 prill, shënohet ‘Dita Botërore e Monumenteve dhe Lokaliteteve’. Në lidhje me rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me Ing. Dip. Arkitekt Gjejlane Hoxha, specialiste konservimi e cila tha: “Kosova ruan mozaik të pasur të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, të krijuar në kontinuitet. Sot, kjo krijimtari gjeniale njerëzore mijëvjeçare, e zhvilluar në gërshetime eklektike ndër shekuj, paraqitet me sfondin e gjerë të monumenteve dhe lokaliteteve të trashëgimisë kulturore, me shtrirje të gjerë gjithandej në zona urbane e rurale.”
Sipas saj, në Kosovë ka ngecje serioze në përmbushjen e detyrimeve kryesore të përcaktuara për mbrojtjen efektive dhe konservimin aktiv të Monumenteve dhe Lokaliteteve të Trashëgmisë Kulturore:“Si pasojë e këtyre ngecjeve, Monumentet dhe Lokalitetet paraqitën në situatë të pafavorshme, të amortizuara nga vjetërsia dhe të mbidominuar nga trendet e ndërtimeve të reja. Pasuria kulturore mijëvjeçare e Kosovës, në të kaluarën e afërt nuk është vlerësuar dhe trajtuar në nivelin meritor.”
Në fund të bisedës, Znj. Hoxha, bëri apel që të ndërmirren masa emergjente për shpëtimin e pasurisë tonë kulturore të rrezikuar nga degradimi dhe humbja, në veçanti në zonat urbane: “Monumentet dhe Lokalitetet e Trashëgmisë Kulturore janë dëshmi autentike e vërtetësisë së identitetit, të civilizimit dhe krenarisë sonë të përbashkët mijëvjeçare si dhe padyshim kapital i çmuar për zhvillime të qëndrueshme në dobi të sigurtë shoqërore, ekonomike, kulturore, ekologjike dhe politike. Ky kapital i çmuar është bazë për ardhmërinë tonë të ndritur. Pasuria kulturore nuk pret. Nëse nuk kultivohet, zhduket. Pasuria kulturore e qëndrueshme, bën një popull të qëndrueshëm”, tha ndër të tjera ajo.
‘Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve’ është përcaktuar në vitet e 80-ta nga ICOMOS, një organizatë profesionale ndërkombëtare me seli në Paris, e cila është krijuar me qëllim zhvillimi dhe promovimi të parimeve dhe standardeve profesionale për mbështetjen e proceseve të ruajtjes, mbrojtjes, vlerësimit, studimit dhe konservimit të mirëfilltë të Monumenteve dhe Lokaliteteve të trashëgmisë kulturore kudo në botë. Sipas funksionit të saj ligjor, është një ndër organet kryesore këshilluese të UNESCO-së. Ndërsa, në nivel të botës ka antarët e saj profesional, ku janë të përfshirë edhe specialist nga Kosova.