Bleta konsiderohet insekt i një rëndësie të veçantë, pasi që përveç që mbledh nektar dhe prodhon mjaltë, ajo e kryen edhe polenizimin e 80% të bimëve gjatë periudhës pranverore.
‘Dita Nacionale e Bletëve’, filloi të shënohet nga viti 2009, nga bletarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të promovuar dhe edukuar njerëzit në lidhje me industrinë e bletëve dhe rëndësinë e tyre në jetën tonë.
Për rëndësinë e bletëve në jetën tonë, Radio KFOR-i zhvilloi një bisedë me menaxherin e kompanisë se bletëve ‘Gruda’ dhe njëherit sekretarin e shoqatës së bletarëve të Pejës, Gramos Gruda, i cili foli edhe për vështirësitë me të cilat po përballen bletët aktualisht: “Dita ditës bletët po ballafaqohen me vështirësi. Ato viteve të fundit kanë ardhur në masën ku rrezikojnë të zhduken. Kjo për shkak të faktorëve të ndryshëm që po e vështirësojnë jetën e tyre si: prishja e ekosistemeve, prerja e pemëve dhe pyjeve, spërkatja e pa kontrolluar me pesticide, emetimi i valëve të ndryshme, ndotja e ambientit me gazet e veturave etj. Për këtë arsye, sot nëpër botë po organizohen çdo ditë fushata vetëdijesuese për mbrojtjen dhe rendësin e bletës. Në Kosovë janë afro 120 mijë familje bletësh dhe bletaria tek ne njëjtë sikurse në botë po ballafaqohet me probleme të shumta. Prodhimtaria e mjaltit ka rënë ndër vite.”
Z. Grezda tregoi po ashtu se sot 1/3 e ushqimeve që i sheh konsumatori në një markete ushqimore, nuk do te ekzistonte po të mos ekzistonte bleta. Pra ato kanë rol të madh në prodhimin e ushqimit për njerëzit dhe kafshët dhe gjithashtu sigurojnë mirëqenien e gjithë njerëzimit.
Bletët vizitojnë rreth 2 milion lule për të bërë një kile mjaltë, po ashtu bletët nuk flenë asnjëherë por vetëm pushojnë në koshere dhe jo rastësisht i thërrasin ‘bletët punëtore’.