Ka qenë 26 nëntori, i vitit 2007, atëherë kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që të aprovojë 20 shkurtin, si “Ditë Botërore të Drejtësisë Sociale”. Kjo ditë, ka për qëllim promovimin e drejtësisë sociale, e cila është gamë e gjerë që përfshinë varfërinë, gjithëpërfshirjen, barazinë gjinore, papunësinë, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen sociale. Në këtë ditë, shoqëritë e mbarë botës nxiten për promovimin e aktiviteteve konkrete, në përputhje me objektivat dhe synimet e Samitit Botëror për Zhvillimin Social.
Çdo vit, Kombet e Bashkuara caktojnë një temë të veçantë për shënimin e “Ditës Botërore të Drejtësisë Sociale”, e cila sivjet, shënohet nën temën “Tejkalimi i barrierave dhe çlirimi i mundësive për drejtësi sociale” (Overcoming Barriers and Unleashing Opportunities for Social Justice). Drejtësia shoqërore është gur themel i shoqërive përparimtare, shoqëri ku respektimi i të drejtave të njeriut dhe përfitimi nga shanse të barabarta për të gjithë, janë të domosdoshme.
“Dita Botërore e Drejtësisë Sociale” është një thirrje për të gjitha vendet, që veprimet e sakta t’u japin kuptim vlerave botërore dhe dinjitetit njerëzor.