Sot (10.09.20), mbyllet konkursi shpërblyes për esenë më të mirë, nga Revista “For You”. Të rinjtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, kanë pasur mundësinë që për një muaj, nga data 10 gusht, të bëhen pjesë e këtij konkursi letrar me temën “Le të Mendojmë për Miqësinë!”. Në emër të stafit të Revistës “For You” dhe Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it, menaxherja e Revistës “For You” , Leonora Shabanaj Niksic, përmes Radio KFOR-it ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit: “Gjatë tridhjetë ditëve të kaluara rreth 100 të reja dhe të rinj, përmes eseve të dorëzuara, i ndanë me ne mendimet dhe idetë e tyre për miqësinë. Ne i falënderojmë dhe i përgëzojmë të gjithë për punimet e mrekullueshme që i kanë dorëzuar. Juria e jonë nuk do ta ketë aspak të lehtë që ta shpallë fituesin pasi që cilësia e punimeve, siç edhe e kemi pritur, është jashtëzakonisht e mirë. Për hir të korrektësisë më lejoni që edhe njëherë t’ua rikujtoj shkurtimisht tri fazat e procesit të përzgjedhjes së fituesve të konkursit: Faza e Parë – Parazgjedhja, Faza e Dytë – Publikimi dhe Votimi dhe Faza e Tretë – Votimi i Jurisë. Falënderojë përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit e këtij konkursi dhe njëherit, dua që t’ua rikujtojë se pa marrë parasysh nëse do të fitoni ose jo në këtë konkurs, për mendimin tonë, ju të gjithë tashmë jeni fitues!”
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i lexojnë punimet e dorëzuara në kuadër të konkursit në fjalë, këtë mund ta bëjnë përmes rrjeteve sociale (faqen e Facebook https://www.facebook.com/Magazine4Ushqip/ dhe ueb faqen https://magazineforyou.com/1/), aty ku edhe do të publikohen punimet e fazës së dytë.