Sot (05.03.26), do të përcaktohet edhe skuadra e fundit që do të sigurojë një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Kosovës për edicionin 2025/26. Çerekfinalja e fundit do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku Llapi pret Malishevën nga ora 13:00. Vendasit konsiderohen favoritë në këtë përballje, megjithatë Malisheva ka treguar shpesh se në garën e Kupës mund të jetë një kundërshtar shumë i rrezikshëm.
Ndërkohë, tri gjysmë finalistët e parë veçse janë mësuar pas ndeshjeve të zhvilluara të mërkurën. Dukagjini ka fituar bindshëm ndaj Feronikelit ’74 me rezultat 3-0 në Klinë, Ballkani ka mposhtur Gjilanin 2-1 në Suharekë, ndërsa Ferizaj ka triumfuar 2-0 ndaj Vushtrrisë. Pas përfundimit të ndeshjes së sotme do të plotësohet lista e katër skuadrave gjysmë finaliste, ndërsa shorti për këtë fazë pritet të hidhet këtë të premte.







